Universiteti online për inxhinierë softueri vjen në Kosovë

Online learning

Universiteti online “Washington Education in Kosovo” synon të krijojë inxhinierë të softuerit dhe t’iu hapë dyert të rinjve kosovarë për punësim në kompani gjigante botërore, si Microsoft, Amazon e Google.

Mësimi online, i cili është mjaft i përhapur në shtetet e zhvilluara, duke mundësuar rritjen dhe edukimin e të rinjve, tashmë ka arritur edhe në vendin tonë.

Profesori Ridvan Aliu, nga Gjilani i cili me vite jeton dhe punon në SHBA, i shkolluar në shkencat kompjuterike, inxhinieri të softuerit, në bashkëpunim me inxhinierët kosovarë krijoi produktin e shkollave online për mësim nga shtëpia.

Shkollat u lansuan falas, me synim që të ofrojnë sidomos për të rinjtë, mësimin e Anglishtes (www.teprofiqaza.com); të Matematikës (www.edumatematike.com); të Teknologjisë Informative (www.unejamkoder.com). Ato u pritën mirë, për faktin se mundësojnë ndjekjen e kurseve pa shkëputje nga shkolla ose puna, dhe krejtësisht falas.

Profesor Aliu, në shtator të këtij viti do të lansojë Universitetin e parë online “Washington Education in Kosovo”, një risi kjo për Kosovën. Synimi i këtij universiteti do të jetë krijimi i inxhinierëve të softuerit, të cilët do të kenë mundësinë të marrin ligjërata nga profesorë eminentë të teknologjisë informative, si Chris Harden, drejtor i Zhvillimit në EA Sports; John Hatch nga Microsoft, Steven Yee Coo nga EDUonGo; Ridvan Aliu CEO në EDUonGo etj.

Universiteti ofron programin dyvjeçar me bursa që do të ndahen nga “Real Visuals”, me qendër në Washington, e cila do mbulojë 90 për qind të bursës, ndërsa 10 për qind të shumës do të mbulohet nga studentët. Këta do të përzgjidhen nga stafi i universitetit, bazuar në suksesin e treguar.

Programi është dyvjeçar. Në vitin e parë, studentët do të kenë teori dhe punë praktike, ndërsa në vitin e dytë akademik ata do të përfshihen drejtpërdrejt në projekte.

Të rinjtë të cilët kanë aftësi në kodim, sikurse dhe ata që janë në studime të shkencave kompjuterike, kanë mundësinë të aplikojnë në këtë universitet, përmes webfaqes së universitetit www.WEKonline.com

Të gjithë të interesuarit, fillimisht duhet të kryejnë testet në shkollat paraprake, atë të anglishtes, matematikës dhe teknologjisë dhe të marrin së paku  80 për qind të pikëve. Aplikantët duhet ta njohin gjuhën angleze, pasi që të gjitha ligjëratat janë në gjuhën angleze.

Profesori Ridvan Aliu thotë se ky universitet është një mundësi që iu ofrohet të rinjve kosovarë të bëhen inxhinierë të softuerit, dhe t’iu hapen dyert për punë në kompani gjigante të teknologjisë informative, siç janë Microsoft, Amazon, Google etj.

 

nga Agim Hajrizi
Gjilan | 09 Mars 2014 | 13:51

http://www.ekonomiaonline.com/shoqeri/9945/universiteti-online-per-inxhiniere-softueri-vjen-ne-kosove/#.Uxxejg2o6nU.facebook

 

http://infoglobi.com/mesimi-online-per-here-te-pare-ne-kosove/

May 11, 2014 Ora: 12:09