Realizimi i kurseve të para që mbështeten nga Risi Albania zgjojnë interesim të madh te nxënësit e shkollave profesionale

gI_65900_almooc-risialbania[1]

Nxënësit e shkollës së mesme profesionale në Kamëz dhe dy grupe nxënësish nga shkolla profesionale teknike “Gjergji Canco” dhe shkolla e mesme profesionale e IT,  “Hermann Gmeiner”, ndoqën, nëpërmjet një video-konference, kursin e ri “Ruby on Rails” të sapo-postuar në platformën Almooc.com

 

Puna disa-mujore, në veçanti me nxënësit e shkollës profesionale në Kamëz, për përdorimin e kurseve online që i ofron platforma Almooc.com bëri që jo vetëm për këtë shkollë por edhe për dy shkolla të tjera të ngjallë kureshtje tek të apasionuarit pas Teknologjisë së Informacionit.

Mbase vetë publikimi i këtij kursi zgjoi kureshtje të madhe tek të apasionuarit e teknologjisë kur dihet tanimë që Ruby on Rails mundëson funksionalitete të shumta me fare pak kodim, gjë që për programuesit e rinj është tejet joshëse në krijimin e web aplikacioneve të sofistikuara.

Organizatorët realizuan komunikim online përmes një video-konference e cila u zhvillua në kohë reale me dy shkollat në Tiranë, atë në Kamëz dhe atë “Gjergji Canco”, për t’iu mundësuar këtyre nxënësve të marrin sa më shumë njohuri shtesë. Përveç materialeve që ishin të qasshme për këto audienca të zgjedhura, nga profesori Pupovci u paraqitën shkaqet përfitimet e përdorimit të këtij framework-u dhe se si mund të përdoret ai konkretisht për ta ndërtuar një “blog”. Studentët pjesëmarrës u informuan lidhur me konceptet bazë të Rails si dhe aspektet specifike për ta ndërtuar një aplikacion sa më lehtë dhe sa më shpejt. Telekonferencën e drejtoi profesor Aliu që është edhe ligjërues në Universitetin Bellevue në SHBA, i cili spikati aspekte teknike duke shpjeguar se si framework-u Ruby on Rails tashmë ka shtrirje shumë të gjerë në SHBA dhe  sipas shumë burimeve kjo ekspertizë është aktualisht nga më të paguarat në Amerikë.

Pjesëmarrësit mësuan që edhe pse nuk është gjuhë programuese me një sintaksë të caktuar por një framework, Rails u mëson zhvilluesve të software-it parime profesionale të cilat potencialisht e lehtësojnë në masë të madhe zhvillimin e aplikacioneve. Ndaj dhe jo rastësisht platformat sociale siç janë: soundcloud.com apo twitter.com janë ndërtuar me Ruby on Rails. Kjo ishte një nga video konferencat e para me studentët nisur nga nevoja dhe kërkesa që u adresua nga vetë nxënësit apo përdoruesit e platformës Almooc.com. Takime të tilla me përfshirjen e kurseve të tjera do të ketë edhe në vazhdimësi me qëllim të përdorimit të tyre sa më efikas nga nxënësit shqiptarë.

Drejtoresha e shkollës “Gjergji Canco” dhe e shkollës “Hermann Gmeiner”, znj. Hedie Bejtja Gjoni, u shpreh e entuziazmuar për njohuritë tejet të çmuara që nxënësit e kësaj shkolle mund t’i marrin përmes ALMOOC, këtij burimi të ri alternativ të mësimit të teknologjisë. Ajo e përshëndeti iniciativën dhe shprehu interesim që të ofrohen rregullisht kurse dhe video-konferenca mbi teknologjitë e reja dhe t’u japin mundësi nxënësve të shkollave profesionale t’i përditësojnë njohuritë në përputhje me kërkesat e tregut.