press-release

Rajoni lindor i Kosovës bëhet me qendër inovative

Organizata ALMOOC që promovon avancimin e shkencave kompjuterike themelon qendrёn e parё inovative nё Gjilan pёr tё afruar tё apasionuarit pas teknologjisё sё informacionit

Në praninë e shumë dashamirësve të teknologjisë së informacionit, zyrtarëve të pushtetit vendor, studentëve, prindërve, dhe të interesuarve të tjerë në Gjilan u hap qendra e parë inovative e cila mëton të bashkojë në një shtëpi të përbashkët të interesuarit pas teknologjisë së informacionit. Krijimi i kësaj qëndre inovative Almooc Innovation Center AIC është risi në vetvete për rajonin lindor të Kosovës, jo vetëm për faktin që është e para në llojin e vet në këtë rajon por dallon nga modeli i funksionimit dhe bashkëpunimit që mundëson me SHBA-në.

Prerja e shiritit

Kjo qendër fuqizohet drejtpërsëdrejti nga platforma EDUonGo për avancimin e mësimit në distancë nga shteti i Washingtonit dhe vjen tek të rinjtë kosovarë me një curriculum të avancuar të përmbledhur në paketën almooc, ku të interesuarit mund të gjejnë materiale, kurse dhe leksione të fjalës së fundit të teknologjisë në gjuhën shqipe. Përtej mësimnxënies dhe përditësimit shkencor të vazhdueshëm, të rinjtë mëndjehapur gjejnë edhe mundësinë e artë të sfidohen në krijimin e startup-ve apo kompanive lokale përmes së cilave sigurojnë edhe punësim.

Almooc është kujdesur që për të gjitha sfidat me të cilat përballet rinia e anamoravës t’i vihet në ndihmë me ekspertizë dhe asistencë duke i mundësuar këtyre të rinjve hapësirë pune dhe trajnime të specializuara. Për më shumë, Qendra e Inovacionit Almooc (AIC) në objektivin madhor synon të bashkojë kërkuesit e rinj, zhvilluesit dhe specialistët e teknologjisë si dhe gjithë të interesuarit në shkencat kompjuterike që të promovojnë dijet e tyre dhe të bashkërendojnë këto vlera në sektorin e zhvillimit teknologjik dhe të biznesit, duke u përqëndruar në krijimin e mundësive të reja për punësim.

Qendra AIC do të jetë burimi kryesor dhe pikë referimi për të gjithë ata të rinj që duan të mësojnë rreth programimit, inxhinierimit softwerik, kodimit dhe gjithçka që ka të bëjë me shkencat kompjuterike por gjithashtu në këtë qendër të gjithë do të gjejnë mbështetje dhe asistencë për zhvillimin e sipërmarrjes, me fokus në teknologjinë e informacionit dhe komunikimit.

Lutfi Haziri Kryetari i GjilanitQendra e Inovacionit (AIC) do të mbështesë dhe përkrahë çdo talent apo individ potencial në lëminë e teknologjisë së informacionit.

Ceremonia e inaugurimit të kësaj Qendre u bë nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Z. Lutfi Haziri i cili në fjalën përshëndetëse shprehu privilegjin dhe krenarinë që në Gjilan po fillohet me këtë qendër të re, ku padyshim që ashtu si teknologjia sjell revolucion në zhvillimin ekonomik të një vendi, sot almook-u dhe kjo qendër do sjelli ndryshimin e madh pozitiv për rajonin e Gjilanit drejt teknologjisë moderne. Kryetari Haziri gjthashtu shprehu zotimin se nga viti i ardhshëm Komuna do të ndajë fond të veçantë për të ndihmuar të rinjtë të ecin në hap me teknologjinë, proçes për të cilin, lëvdatat më të mëdha i meriton shqiptaro-amerikani Ridvan Aliu që drejton almooc dhe EDUonGo. “Jemi me fat që kemi një Gjilanas që sot kthehet tek ne me projektin almooc dhe këtë qendër që sot po e inaugurojmë”- u shpreh Haziri.

Drejtori ekzekutiv Ridvan Aliu, tejet i entuziazmuar për hapjen e kësaj qendre rikonfirmoi përkushtimin tij dhe të ekipit që kryefjala e gjithë përpjekjeve tona është ofrimi i arsimimit cilësor për Kosovarët në fushën e programimit dhe kodimit gjë që sot të rinjtë gjilanas e realizojnë lehtësisht përmes kësaj qendre inovative. Aliu gjithashtu shprehu kënaqësinë që të gjithë sipërmarrësit e rinj të lëmisë së teknologjisë do të kenë mundësi të prezantojnë para investitorëve Amerikan shpikjet e tyre përmes kompanisë së tij.

Steven Yee, menaxher i lartë në EDUonGo i’u drejtua pjesëmarrësve duke përcjellur vrojtimet e tij me inxhinerët shqiptar si dhe potencialin që rinia e Kosovës ka në përthithjen e njohurive në fushën e programimit dhe konkurencës në tregun ndërkombëtar të punës. Z. Yee, gjithashtu ftoi shqiptarët që t’i përgjigjen masivikisht ftesës që i bën tregu ndërkombëtarë ku vetëm në Amerikë deri në vitin 2020 do të nevojiten mbi 1 milion programerë të rinj.

Ceremonia e inaugurimit u pasua me aktivitetin e parë ku 5 grupe studentësh nga komuniteti ALMOOC prezantuan projekt idetë e tyre para investuesve Amerikan.