Komuna e Gjilanit bashkëpunon me ALMOOC

almooc

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka nënshkruar sot marrëveshje me platformën inovative, Albanian Massive Open Online Courses (ALMOOC), e cila fuqizohet nga EDUonGo me seli në shtetin e Washinton-it në SHBA, me qëllim që të kontribuojë në stimulimin e mësimit dhe përvetësimin e lëndës së programimit dhe të lëndëve shkencore te nxënësit dhe shkollarët e të gjitha niveleve në Komunë

 

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri dhe drejtori ekzekutiv i EDUonGo, njëherit dhe drejtues i platformës ALMOOC, Ridvan Aliu, e nënshkruan këtë marrëveshje me synimin që ta nxisin në masë sa më të madhe mësimin e programimit, gjuhës angleze dhe të lëndëve shkencore si, matematika, fizika dhe kimia – në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme në Komunën e Gjilanit.

Kryetari Haziri tha me këtë rast se Komuna e Gjilanit ndërmori hapin e parë në ofrimin e mundësisë së përdorimit të burimit alternativ almooc.com për nxënësit, studentët dhe të gjithë të interesuarit gjilanas.

Palët nënshkruese të këtij Memorandumi të Mirëkuptimit u zotuan ta stimulojnë mësimnxënien dhe ndërmarrësinë tek të rinjtë për t’i përgatitur të rinjtë që në një të ardhme të mundësohet veprimi i tyre në një qendër innovative.

“Jam tejet i kënaqur me cilësinë e mësimit që e sjell sot platforma ALMOOC në Komunën e Gjilanit, dhe me mundësinë e bashkëpunimit që nxënësit gjilanas do ta kenë me komunitetin e gjerë të ALMOOC-ut. Nuk e kam pikën e dyshimit që ALMOOC do të ketë ndikim të madh në përgatitjen sa më profesionale të nxënësve tanë dhe do ta mundësojë hapjen e vendeve të reja të punës në fushën e shkencës dhe të teknologjisë”, tha me këtë rast kryetari Lutfi Haziri.

Nga ana e tij, Ridvan Aliu, drejtor ekzekutiv i ALMOOC, u shpreh se memorandumi i nënshkruar me kryetarin Haziri e shënon fillimin e partneritetit afatgjatë nga i cili përfitojnë të gjithë nxënësit e Komunës.