ALMOOC sjell tek shqiptaret investuesit Engjëj nga SHBA dhe Australia

angel-investors-angelal

Investues të njohur ndryshe në terminologjinë e teknologjisë së Informacionit  si engjëjt investues vendosin në hartën e tyre trojet Shqiptare.

Kush janë engjëjt dhe me se merren ata?

Audienca shqiptare është pak e njohur me engjëjt, misionin, objektivat dhe mënyrën e funksionimit të investimeve nga ana e tyre. Shkurtimisht, le të hedhim pak dritë mbi rrugëtimin e tyre deri në ditët e sotme:

Ajo që dikur nisi në SHBA,më 1978, i dha edhe përkufizimin e sotëm kësaj nisme.Në botë engjëjt (nga gjuha angleze angel apo angel investor ) nënkupton individ, kompani apo koorporatë të cilët vënë në dispozicion kapitalin e tyre për një “start up” ide apo projekt konkret i cili arrin të zgjojë interesin e tyre për investim. Në kontekstin etimologjik, gjeneza e fjalës ENGJËLL INVESTITOR i referohet iniciativës në Broadway ku individ të pasur dhuronin fonde për shfaqjet teatrale. Po atë vit, kjo ide u brumos nga Prof. William Wetzel nga Universiteti i New Hampshire, i cili ishte dhe themelues i Qendrës së Kërkimeve për Ndërmarrësinë. Për këtë, ai bëri një studim mbi mënyrat sesi ndërmarrjet rrisnin kapitalin ne shërbim të komunitetit duke iu referuar  investitorëve me termin ENGJËLL.

Në grupin e investitorëve engjëj futen ata ndërmarrës apo drejtues të bizneseve të fuqishëm të cilët investimin e tyre e shikojnë përtej fitimit monetar. Kjo ndodh me drejtuesit e koorporatave apo ndërmarrjeve, të cilët krahas biznesit që drejtojnë, mbështesin financiarisht mentorimin e gjeneratës së re të ndërmarrësve, individëve me projekt ide praktike, dhe e bëjnë këtë duke investuar dhe vënë në dispozicion përvojën dhe rrjetin e tyre.

E rëndësishme është që mënyra e funksionimit të invesitorëve engjëj, duke nisur nga faza e identifikimit, vlerësimit e deri te përzgjedhja e projekteve është ngushtësisht e lidhur me teknologjinë informative, ashtu si edhe me natyrën e projekteve që përzgjidhen, projekte këto që  mundësojnë përfitime dhe lehtësira për komunitetin dhe të cilat pashmangshmërisht ndërlidhen me teknologjine informative.

Po nga buron sot  interesi i invesitorëve engjëj për projektet shqiptare?

Zhvillimi i teknologjisë ka bërë që edhe koncepti i invesitorëve engjëj të ketë shtrirje më të gjerë dhe më të shpejtë. Falë këtyre mjeteve praktike kemi interesim të shprehur për të financuar projekt-ide që vijnë ekskluzivisht nga shqiptarët. Në parim, engjëjt mblidhen në forume të hapura dhe dëgjojnë individët që kanë projekt-ide apo edhe kompani të  cilat prezantojnë idetë e tyre, për të përzgjedhur më pas më të mirët dhe duke iu ofruar  kështu investime konkrete. Zhvillimi teknologjik ka mundësuar që sot investitorët engjëj të kenë mundësi të njihen edhe përmes komunikimeve interaktive në distancë, të dëgjojnë për projekt idetë që kanë shqiptarët, të para-seleksionojnë dhe pse jo, edhe të investojnë.

Real Visualz LLC dhe EDUonGo me seli në Seatle të shtetit të Washingtonit, kanë ndërmarrë këtë inisiativë për t’i mundësuar kompanive shqiptare dhe individëve që kanë projek- ide konkrete, të eksplorojnë mundësitë e përthithjes së investimeve. Keto Kompani te specializuara në IT, te cilat në gjirin e vet kane një numër të konsiderueshëm inxhinierësh të specializuar softwar-i, drejtohen nga një shqiptar i Kosovës, Ridvan Aliu, ka për qëllim përfshirjen e shqiptarëve në rrjedhat e investimeve ndërkombëtare. Për këtë qëllim është  krijuar edhe një portal www.angel.al ekskluzivisht për tregun shqiptar.

Po cilat janë nismat konkrete të ndërmarra për shqiptarët?

Përveç krijimit të portalit të shqiptarëve për thithjen e investimeve të engjëjve, kjo iniciativë ka korrur sukseset e para në gjetjen e investitorëve matanë oqeanit të cilët kanë konfirmuar tanimë interesin e tyre për të shqyrtuar ofertat e shqiptarëve. Aktualisht, interesim konkret kanë paraqitur 11 investues engjëj që vijnë nga SHBA-ja dhe Australia http://angel.al/meet-us.php. Synimi i organizatorëve është që këtyre të 11-tëve nga SHBA dhe Australia t’i bashkangjiten edhe invesitorë engjëj nga trojet shqiptare për të rritur sa mëshumë mundësinë që projekt-idetë e shqiptarëve të mbështeten në shkallë gjithmonë e më të lartë.

Studentët e Teknologjisë Informative dhe jo vetëm, por të gjithë ata, të cilët kanë projekt-ide konkrete në këtë fushë inkurajohen të mos hezitojnë t’i prezantojnë idetë e tyre para grupit të investitorëve engjëj; të provojnë të jetësojnë këto ide të cilat mund të kenë mbetur në gjëndje të ngrirë  për mungesë fondesh. ALMOOC përmes zyrave përfaqësuese në Tiranë dhe Prishtinë mundëson edhe asistencënë prezantimin e projekt-ideve para grupit të investitorëve engjëj me shpresën për sponsorizim nga ky burim ndërkombëtar.