ALMOOC shpërblehet në edicionin e tretë kombëtar të Albanian ICT Awards

Amooc ICT  Awards

Albanian ICT Awards u finalizua mbrëmjen e së premtes, më 15 maj, në Tiranë në evenimentin tradicional – Mbrëmja Gala – ku u bë kurorëzimi i fituesve në shtatë kategori.  Këtë ceremoni e nderuan me pjesëmarrjen e tyre ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike të Shqipërisë, Milena Harito, zv. Ministrja e Punës dhe Mirëqenies Sociale në Kosovë, Rita Haizeraj, ish-ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë së Shqipërisë, Erion Veliaj, përfaqësues të trupit diplomatik të SHBA-së, udhëheqës të bizneseve dhe organizatave të industrisë së TIK nga Shqipëria e Kosova etj.

ALMOOC, platforma për promovimin e arsimimit përmes kurseve/trajnimeve online konkuroi në këtë garë për çmimin e Inovacionit te Vitit me këtë platformë atraktive që është krejtësisht e re për audiencën shqipfolëse dhe tejet inkurajuese për mësimnxënie. Albanian Massive Open Online Courses (ALMOOC) është e ndërtuar mbi konceptin themelor të ofrimit të kurseve/trajnimeve në distancë për audiencë të hapur ku marrin pjesë numër i pakufizuar i studentëve e nxënësve; platformë e cila gjatë vitit 2014 është mirëpritur nga rinia shqiptare. Almooc numëron sot 30.000 ndjekës, shifër kjo që rritet dita-ditës falë punës së palodhur por të mbushur me dashuri dhe optimizëm të punonjësve tanë për filtrimin e talentëve dhe ndihmën që ata ua japin studentëve për përmbushjen e synimeve të tyre në jetë, në fushat si Programim Kompjuterik, Gjuhë Angleze, Matematikë, Fizikë e Kimi.

Marrë për bazë që çmimi Inovacioni i Vitit mund të konsiderohet edhe çmimi më i rëndësishëm nga gjithsej shtatë çmimet e dedikuara këtë vit, me të drejtë mund të thuhet që konkurenca ishte tejet e fortë. Nga lista e ngushtë juria profesionale e vlerësoi ALMOOC me çmimin e dytë. Gara për çmimin kombëtar në TIK, për ALMOOC -un është një shtysë për të vazhduar punën më me përkushtim në këtë platforme fisnike për të pasur në mesin tonë sa më shumë të rinj nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Diaspora të cilët do të kenë këtë burim alternativ me qëllim të zgjerimit të horizonteve të dijes.

Në mungesë të pjesmarrjes së drejtorit ekzekutiv, z. Ridvan Aliu, për të tërhequr çmimin, në emër te grupit të inxhinierëve nga zyra në Prishtinë çmimin e pranoi z. Betim Ismajli, me zotimin që në 2015 do të kemi më shumë për të ofruar në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Inovacionit.

 

Rreth ICT Awards

Objektivi i ICT Awards  është  t’i çojë përpara vlerat e ICT-së, si dhe t’i identifikojë vlerat më të spikatura individuale shqiptare, për udhëheqësit e kësaj industrie që kanë pasur sukses dhe ndikim të rëndësishëm pozitiv në kontributin e zhvillimit të teknologjisë së informacionit në një biznes, organizatë apo nismë/sipërmarrje individuale, në sektorin publik apo privat. Përmes ketij eventi kombëtar synohet identifikimi dhe shpërblimi i profesionistëve të shquar, udhëheqësve të suksesshëm, inovatorëve, profesorëve, yjeve në ngritje të cilët gjatë vitit kalendarik 2014 kanë arritur të lënë gjurmë pozitive dhe kontribut në sektorin e gjerë të ICT-së.

http://ictawards.org/2014/

 

Rreth ALMOOC

ALMOOC është platformë shqiptare gjithëpërfshirëse e kurseve  të hapura online (MOOC) e cila ofron arsimim cilësor pa pagesë për të gjithë shqiptarët. ALMOOC bashkëpunon me ligjërues të spikatur të një sërë fushash, dhe përdor platformën fituese të çmimit për e-Learning, EDUonGo, me qëllim që ta mundësojë dhënien e kurseve profesionale online në gjuhën shqipe për njerëz të të gjitha moshave. ALMOOC ofron arsimim për më shumë se 30,000 studentë shqipfolës, me kurse në gjuhën Angleze, të Matematikës, Fizikës, Kimisë dhe Kodimit. Për më tepër vizitoni:

 

http://almooc.com